Nazim Rashidi, TV Alsat
Kur mu kërkua të jap një vlerësim për 3 majin Ditën, Ndërkombëtare të Lirisë së Medieve, desha të shkruaj diçka duke iu referuar thënieve të mëdha nga autorët e politikanë relevantë që kanë bërë aq shumë për këtë liri gjatë historisë. Por më duket më me peshë dhe esenciale, edhe për kohën kur jemi por edhe zhvillimin që kemi, përshkrimi i një bisede.
Vura re se një i njohur i imi kishte ndryshuar bindje, apo ishte zbutur nga ekstremizmat që kishte shfaqur rreth fenomeneve dhe gjykimeve që kishte për shoqërinë. Por kjo është liria i thashë. Se e rëndësishme është të jesh i qartë me veten për bindjet që ke apo dhe që i ndryshon. Esenca e lirisë së mendimit dhe shprehjes, që është dhe liria e medies, është të jesh ç’të duash, të ndërrosh mendje sa herë që do dhe mos gjykohesh e dënohesh nga të tjerët. Sigurisht duke e bërë këtë edhe të mos dëmtosh të tjerët. Për mua, ky është parimi me të cilin jetoj dhe me të cilin duhet të jetojë shoqëria. Prandaj dhe nuk mund të kuptoj imponimin dhe dhunën kur shfaqet nga pushtetet ose regjimet. Aq më shumë kur kjo dhunë merret për model të mirë. Dhe duket e lehtë të duash lirinë, por jo përherë është, sepse liria, është përgjegjësi e madhe, pasi të “detyron” ta mbrosh tjetrin edhe kur nuk pajtohesh. Nëse ndihesh i lirë, s’ka se si të të pengojë mendimi tjetër. Por kjo ama s’duhet të jetë e vështirë, nëse ky parim është mënyrë jetese dhe bindjeje. “Vështirësia”, mund të dalë vetëm atëherë kur duhet të përballesh me bashkëmendimtarët, dhe kur do paragjykohesh dhe vetë sepse mbron të drejtën e të qenit e të menduarit ndryshe. Por sërish, nëse je i qartë me veten kjo është OK, se kjo është beteja, e ime, e jona, e të gjithë atyre, që besojnë në liri.
Prandaj kësaj here, pa citime të fjalëve të mëdha, më shumë reflektim për lirinë, atë të mendimit, të shprehjes, bindjes, të asaj personales. Sa më i lirë vetë, aq më shumë liri edhe për të tjerët!