Ministria e shëndetësisë nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook ka thënë se numrat dhe tendenca në betejën kundër koronavirusit janë shumë inkurajuese. Gjatë ditës së sotme janë regjistruar vetëm pesë raste, ndërsa të shëruar kanë qenë 95 persona.
“Numrat dhe tendenca në këtë tabelë janë jashtëzakonisht inkurajuese. Kurba e pacientëve të kuruar rritet ndjeshëm ndërsa numri i rasteve aktive ka një rënie të madhe. Sot kemi pasur vetëm 5 raste të reja nga gjithsej 249 teste, që është një normë prej 2% pozitive nga të gjitha testet e kryera brenda një dite.
Numri i pacientëve që kanë indikacion për testim po zvogëlohet ndjeshëm por edhe numri i testeve të kryera po zvogëlohet. Sipas informacioneve nga laboratorët privatë, kërkesat për testimit gjithashtu kanë rënë ndjeshëm. Koha e pritjes për testim gjithashtu ka rrënë në minimum, d.m.th një ditë.
Vazhdojmë të testojmë në mënyrë aktive sipas indikacioneve në të gjitha pikat dhe në të gjitha laboratorët, por dhe me shumë kujdes duhet të ndjekim nga afër situatën derisa epidemia të tërhiqet plotësisht. Deri më tani, janë kryer 17,246 testime”, thuhet në njoftimin e MSH-së.