Kompanitë nga sektori i hotelierisë, turizmit dhe transportit janë më të prekura nga kriza, prandaj do të kenë mbështetje shtesë, deklaroi ministrja e Financave, Nina Angellovska, pas takimit me përfaqësuesit e këtyre veprimtarive bashkë me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Përveç ndihmës për rrogën minimale, ata do të mund ta shfrytëzojnë edhe masën prej 50% për subvencionim të kontributeve, që do të thotë se ndihma e përgjithshme për ta do të jetë 19.500 denarë, sqaroi Angellovska.
“Për këta sektorë, për të gjitha kompanitë që kanë punuar duke mos pasur humbje në dy vitet e kaluar dhe konsiderohen kompani të shëndetshme, që nuk i kanë borxh DAP-it, pra që nuk janë në listën e DAP-it, dhe kushti i tretë është që këto kompani të goditura, prej këtyre sektorëve, të mos kenë kredi që nuk i kanë paguar më shumë se 90 ditë”, tha Nina Angellovska Ministre e Financave.
Ministri Bekteshi tha se në takimin me përfaqësuesit e këtyre sektorëve, është biseduar edhe për ndryshimet e fundit të Dekretit, që ka të bëjë me ndihmën prej 14.500 denarëve. Siç tha ai, janë paralajmëruar edhe masa shtesë.
“Njëkohësisht biseduam për fondin e turizmit ku parashihen masa për rimëkëmbjen e këti sektori me rëndesi dhe për promovimin e Maqedonisë së Veriut”, tha Kreshnik Bekteshi Ministër i Ekonomisë.
Nga Agjencia për promovim dhe mbështetje të turizmit, thonë se në periudhën në vijim do të përqendrohen në promovimin e turizmit vendor nën moton “Askund si në shtëpi”.