Megjithëse Ministria e Arsimit premtoi shumë, si masë të vetme deri më tani është mësimi onlajn i cili nuk po rezulton i suksesshëm. E gjithë kjo për shkak të pamundësisë ekonomike dhe teknike që jo çdo nxënës mund ta realizojë!
Ministri më 27 mars 2020 me kërkesë të tijën ka pranuar listat e nxënësve të cilët për shkak të gjendjes sociale-ekonomike nuk janë në gjendje të ndjekin mësimin onlajn, me qëllim që për ta ministria të sigurojë mjete mësimore elektronike për komunikim.
Edhe pse kërkesa e ministrisë gjeti përgjigje brenda 24 orëve, fatkeqësisht nxënësit ende nuk janë pajisur me mjetet që u janë premtuar dhe një numër i madh prej tyre ende nuk kanë ndjekur as edhe një orë mësim onlajn!
Aleanca për Shqiptarët kërkon zgjidhje të menjëhershme të rastit, sepse nuk është koha për premtime boshe të BDI-së, praktika e të cilës nuk ka të ndalur as në gjendje të jashtëzakonshme! Para se të ndërmerren masa duhet të bëhet analiza se sa të aplikueshme janë në praktikë dhe sa realisht sjellin rezultate ato masa.
Nxënësit duhet të trajtohen njëjtë dhe urgjentisht duhet të sigurohen mjete elektronike për të gjithë, nëse ministria nuk është në gjendje të realizojë atë që ka premtuar duhet të fillojë të mendojë për masa të reja!
Aleanca për Shqiptarët