Sot po e realizojmë suksesin më të madh të vendit tonë nga pavarësia e tij e deri sot. Flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot me krenari është valvitur në rrethin e flamujve të familjës aleatë të NATO-s. Rruga ishte e gjatë, por shpërblimi që arriti sot me shikimin e flamurit të vendit tonë në selinë e NATO-s në Bruksel, e merituam. Bëhuni krenarë qytetarë të mi të respektuar.
Këtë e deklaroi kryeministri, Oliver Spasovski, në fjalimin me rastin e ngritjes të flamurit të Maqedonisë së Veriut, pasdite para selisë së NATO-s në Bruksel, në ceremoninë ku u shënua anëtarësimi zyrtar i vendit në Aleancën Veriatlantike, e të cilën e ka ndjekur me video.
“Flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është simbol i ardhmërisë së sigurtë dhe prosperitet të vendit tonë. Me të vërtetë ne sot po zhvillojmë një betejë tjetër, betejë me koronën. Por, për një moment do t’i lejojmë vetes të gëzohemi, të regjistrohet se sot është ditë për tu mbajtur mend, ditë historike. Ditë kur flamuri ynë është valvitur sëbashku dhe barabartë me të tjerët nga familja e aleancës Veriatlantike, aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit”, tha Spasovski.
Ai theksoi se shumë shpejtë, pas pavarsisë së vendit tonë, u nisëm në realizimin e këtij qëllimit tonë strategjik, jemi ballafaquar dhe i kemi tejkaluar të gjitha sfidat, ndërsa gjatë tre viteve të fundit i kemi bërë reformat kyçe, i kemi marrë vendimet historike që e kanë lëvizur fuqimisht procesin tonë euroatlanik, i cili ishte seriozisht i rrezikuar.
“Me vendimet e mëdha jemi bërë shtet më i mirë dhe shoqëri më e mirë, dhe shpërblimi erdhi me meritë. Jeni të bindur se do ta fitojmë betejën me koronavirusin dhe do ta vazhdojmë rrugën tonë në të cilën e kemi vendosur realizimin e qëllimit tjetër strategjik – përfundim të suksesshëm të procesit të negociatacve dhe anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë të punojmë në zbatimin e suksesshëm të proceseve për shoqëri më të mirë edhe për bashkësi më të mirë shtetërore për të gjithë qytetarët tanë. Shtet, i cili do të mbetet fqinj i mirë dhe i sinqertë në të gjitha vendet në rajonin tonë, shtet i cili do të përforcojë kapacitetet e veta dhe i cili do të bëhet partner i të gjithë aleatëve tanë në NATO në sfidat globale për ruajtje të paqes. Aleat prej të cilit munden të gjithë partnerët tjerë në NATO të presin përkrahje dhe aleat, i cili çdoherë do të mund të llogarisë në vendet tjera anëtare”, tha Spasovski.
Ai përmendi edhe të gjithë ata nga vendi dhe jashtë vendit, të cilët kontribuan në këtë sukses, të cilin sot e shënojmë.
“Detyra jonë sot është t’u shprehim mirënjohje të gjithë atyre të cilët sinqerisht dhe me nder kontribuan në procesin tonë euroatlantik. Të gjithë atyre ju shpreh respekt dhe falenderim të sinqertë. Kjo posaçërisht ka të bëjë me kryetarin paraprak të Qeverisë, Zoran Zaev, për angazhimin e tij të palodhshëm dhe vendimeve të guximshme. Kjo ditë nuk do të realizohej edhe pa përkrahjen e aleatëve tanë – SHBA-së, vendeve anëtare të NATO-s dhe fqinjëve tanë. Jemi të lumtur që sot jemi së bashku me ta, të lidhur me solidaritet dhe unitet. Së bashku jemi më të fuqishëm dhe prej sot ne jemi NATO”, tha kryeministri Spasovski.
Në ceremoninë solemne me rastin e ngritjes së flamurit tonë, në selinë e NATO-s në Bruksel, fjalime mbajtën sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg dhe u.d. shef i Misionit të përhershëm të Republikës së Maqedonisl së Veriut në NATO, Zoran Todorov.
Procedura formale për anëtarësimin në NATO, zyrtarisht është mbyllur më 27 mars pas deponimit të instrumentit për qasje drejt Marrëveshjes Veriatlantike në Departamentin e Shtetit në Uashington, pasi paraprakisht aleatët në NATO e kanë nënshkruar protokolin për aderim të Maqedonisë së Veriut në shkurt të vitit 2019, pas çka të gjithë 29 parlamentet kombëtare votuan për ratifikimin e anëtarësimin e vendit në Aleancë.