Po krenohen për tri datat historike të arsimit shqip. Por veteranët i dëgjojnë me skepticizëm kur flitet për të arriturat në arsim gjatë ditëve të sotshme. Kështu u shënua dita e mësuesit, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
“Por, ku jemi tash në Shekullin 21? Parashtrohet pyetja pse nuk po bashkëvepron politika me lëvizjen arsimore? Ka një shkëputje!”, deklaroi Skender Hasani, Drejtor i ITSHKSH.
“Të gjitha konkluzat, të gjitha propozimet do të vijnë në adresën e duhur aty ku zhvillohet politika në drejtim të krijimi të politikave arsimore”, tha Safet Neziri, Këshilltar në Ministrinë e Arsimit.
“Ne si gjeneratë e re nuk e bëjmë punën, atë që e kanë bërë të tjerët. Arsimi mos të shihet si biznes, mos të ndikohet nga politika, por arsimi duhet të shihet si një mision kombëtar”, u shpreh Ylber Sela, Drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës shqipe.
“Mesazhi kryesor, tash e sa vite, është dhe mbetet ngritja e cilësisë në arsim. Kuptohet, mos të hymë në atë sesi duhet të ngritët, duhet mjete mësimore, arsim cilësor dhe mësues cilësor”, u shpreh Nuhi Dardhishta, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë.
Për profesorët tani më në pension, përvjetori i Shkollës së parë shqipe në Korçë, si dhe Kongresi i Manastirit dhe hapja e Shkollës Normale të Elbasanit e kanë humbur kuptimin e vërtetë të festës nga rënia e nivelit të arsimit.
“Politika është me të dy këmbët e thelluar në arsim. Politika po dirigjon universitetet, rektorët janë njerëz të politikës. Drejtorët e shkollave dhe kuadri janë gjithashtu. Neve japim diploma pa dije. Diploma, të cilat janë vetëm për dekor, bëj përjashtim këtu të një përqindje të vogël të studentëve dhe nxënësve”, deklaroi Tahir Zajazi, Veteran i arsimit.
Sipas veteranëve të arsimit, kjo ditë i gjeti shkollat shqipe gjysmë të zbrazura si pasojë e emigrimit. Statusi i arsimtarëve, thonë ata, nuk është më i shenjtë për punën intelektuale e sublime që e bëjnë.
Kushtet e mësimit shpeshherë nuk janë as në favor të nxënësve. Shumë prej tyre janë akoma pa tekste shkollore. Mungesë më e madhe vërehet në librat e gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit./Alsat/