Zëdhënësi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Bujar Osmani pret partia e tij të jetë fituese e sigurt në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në bllokun shqiptar dhe ta realizojë një nga fitoret më të mëdha në ekzistimin e saj politik pasi është “drejtues i rrugës euroatlantike në shtet” dhe nuk e përjashton mundësinë për të bërë koalicione paszgjedhore.
“Tani jemi të fokusuar të komunikojmë me qytetarët dhe ta marrim mbështetjen e tyre. Çështja e koalicioneve po bëhet temë e bisedimeve pas zgjedhjeve, pasi qytetarët do të vendosin se kush ka të drejtë të formojë koalicion”, tha Osmani në pres konferencën e sotme për shtyp në përgjigjen e pyetjes.
Sipas tij, dihet në shtet, por edhe tek bashkësia ndërkombëtare se BDI është mbrojtës (gardiane) i tre marrëveshjeve – të Ohrit, Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë për fqinjësi të mirë.
“Duke e pasur parasysh rolin e mbrojtësit të tre marrëveshjeve të tilla do të jenë edhe vendimet e mëtejme të BDI-së lidhur me atë se si do të funksionojë shteti. Qytetarët e kanë të qartë se BDI është parti e cila ka rezultate, ka vizion dhe konsistencë. Mund të vonojë, por gjithmonë ka rezultate. Vlerësoj se qytetarët presin prej partive politike të mos bëjnë gjithë ditën kalkulime partiake se si të qëndrojnë në skenën politike përmes koalicioneve joparimore dhe bashkimeve por të punojnë në interes të tyre. Në BDI veçanërisht shqiptarët e shohin interesin e tyre edhe për shkak të historisë edhe për shkak të listës së çështjeve të cilat i ka gjatë gjithë mandatit. Prandaj jemi absolutisht të bindur se kjo do të jetë një prej fitoreve më të mëdha të BDI-së”, tha Osmani.
Për akuzën se BDI i ka shantazhuar partitë e bllokut maqedonas, Osmani tha se atë e kanë bërë nëse shantazh është nevoja e sjelljes së zgjidhjes për zgjidhjen e kontestit për emrin dhe hapjen e rrugës drejt NATO-s dhe nëse shantazh është nevoja për nënshkrimin e Marrëveshjes me Bullgarinë ose nevoja e sjelljes së Ligjit për gjuhët për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike me qëllim të krijimit të shtetit inkluziv.
“Atëherë BDI-ja ka shantazhuar, por asnjëherë për partinë, gjithmonë për interesin e qytetarëve dhe gjithmonë për interesin e shtetit të shkojë përpara. Jemi krenarë se me këto çështje kemi kushtëzuar qeveri, por pikërisht këto çështje sot na çuan në situatë të mund të themi se de fakto tashmë jemi anëtare e NATO-s dhe se rruga drejt BE-së është shtruar”, theksoi Osmani.
Lidhur me shkeljen e disa tabelave dygjuhësore të institucioneve të shkruara edhe në gjuhën shqipe, ai tha se kjo me siguri është bërë për shkak të mosnjohjes së Ligjit për gjuhët.