“Për këtë ngjarje të rëndë mora vesh një ditë pas ngjarjes nga mediat. Ishte shumë ngjarje tragjike. Sigurisht se kam folur me shumë njerëz, nëse vlen për gjykatën dhe opinionin të gjitha bisedat e mia le të tregohen publikisht. Normalisht se nuk më kujtohen të gjitha detajet, por kam folur që ta shoh të vërtetën e ngjarjes, pasi që ishim të shqetësuar. Unë si kryetar i partisë dhe deputet kam pasur kujdes, nuk ishte situatë e lehtë, të gjithë në njëfarë mënyre u frikësuam nga kjo ngjarje që të mos vijë deri në ndonjë përballje. Të gjitha bisedat me bashkëpunëtorët e mi ishin në atë këndvështrim. Detajet nuk më kujtohen”, tha Ahmeti sot në rolin e dëshmitarit në rastin “Monstra”.
Ai gjithashtu ka thënë se ka kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar.
“Ishte situatë shumë e keqe për mua dhe si njeri i parë i partisë jam përpjekur që të kontribuoj për pastrimin e situatës. Kam biseduar me komunitetin ndërkombëtar dhe kam kërkuar ndihmë nga zonja Nuland si ndihmës sekretare e shtetit të ShBA-së, por edhe nga përfaqësuesit e lartë të BE-së. Përgjigja e Nulandit ka qenë se ata nuk mundin të ndihmojnë në këtë rast. Edhe përgjigja e BE-së, por edhe e ShBA-së, ka qenë se ata i besojnë OSBE-së”, shtoi Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se nuk beson që këtë krim ta kenë kryer shqiptarët.
“Nuk mendoj se ka shqiptarë që mund ta bëjë këtë krim. Ju kam thënë të gjithëve se nëse këtë e ka bërë një shqiptarë me pështym do ta dënoj”, deklaroi para trupit gjykues Ahmeti.
Prokurorja Fatime Fetai e pyeti nëse i kujtohet një bisedë me SafetNezirin.
“Jo vetëm me Safetin, por kam biseduar edhe me shumë njerëz të tjerë që eventualisht të mos jenë pa faj të akuzuarit. Nuk mohoj se kam biseduar me atë. Më mirë do të ishte që gjykata dhe të gjithë ta dinë se çfarë kam biseduar me atë.
Më 12.05.2012 Ahmeti nga Safet Neziri ka kërkuar që të krijohet komision paralel për pastrimin e rastit. Fetai e pyeti se çfarë ka shkaktuar dyshim tek ai që ai të kërkojë komision paralel.
“Kemi pasur informata të konfirmuara dhe të pakonfirmuar se mund të ndodhin protesta për këtë rast dhe punët të dalin nga kontrolli”, tha Ahmeti.
“Dy ditë pas ngjarjes, bashkëfolësit i thoni se të vrarët janë gjuajtur në mënyrë klasike. Cilat kanë qenë njohuritë”, pyeti Fetai.
“Informatat i kam pasur nga organet, nga institucionet, pasi që ata nuk kanë qenë vetëm të vrarë, por edhe të masakruar”, u përgjigj Ahmeti.
“Gjurmët biologjike nuk u përkasin njerëzve në të cilët dyshohet, me përjashtim të njerëzve që nuk janë këtu. Si e keni ditur se cilët janë njerëzit e dyshuar në këtë pjesë të hetimit, duke e pasur parasysh se ka qenë në rrjedhë procedurë hetimore”, pyeti Fetai.
“Gjithmonë kam ftuar që pa prova të mos akuzohet askush. Ajo ka qenë çështje që me secilin e kam biseduar”, u përgjigj Ahmeti.