Nga Komisioni evropian janë gjithnjë e më të qarta sinjalet se Maqedonia e Veriut e përmbushi tërë atë që kërkohej prej saj dhe se vendi iu përgjigj të gjitha kërkesave që u cekën në raportet e KE-së, me çka hapet rruga për fillim të negociatave për anëtarësim edhe para Samitit të BE-së në Zagreb në maj.
Komisioni evropian dje e përsëriti qëndrimin se negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të fillojnë sa më shpejtë duke pasur parasysh se i përmbushën kushtet. Brukseli shpreson se ky hap mund të ndodhë para Samitit të BE-së dhe Ballkanit perëndimor, në maj, në Zagreb.
Zëdhënësja e eurokomisarit për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Oliver Varheji, Ana Pisonero, dje theksoi se Komisioni konsideron se dy vendet i përmbushin kriteret për fillim të bisedimeve, të cilat ishin bllokuar nga disa vende evropiane të kryesuara nga Parisi.
“Ne jemi të gatshëm. Shpresojmë se kjo mund të ndodhë para samitit në Zagreb, por nuk mund të parashohim se si do të sillen vendet-anëtare”, shtoi Pisonero e pyetur nëse Franca do ta ngrejë veton për fillim të negociatave me dy vendet.
Raporti për përparim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pritet prej 2 deri më 4 mars, ndërsa ideja është që Komisioni evropian të dalë me të kur të gjitha vendet-anëtare do të jenë pozitive në dhënien e dritës së gjelbër për datë për fillim të negociatave me Unionin, konfirmuan për MEDIAL-n burime diplomatike nga Brukseli. Raporti duhet të miratohet në takimin e eurokomisarëve, të cilët kanë takim të mërkurën më 4 mars.
Eurokomisari për zgjerim, Oliver varheji është optimist se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’i realizojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në BE.
“Të dy vendet nuk heqin dorë nga reformat… dhe do të shihni se ato do të reflektojnë, dhe nëse e bëjnë atë, mund të jeni të bindur se do të ketë hapje të negociatave”, tha Varheji, duke shtuar se është mjaft i inkurajuar nga vizita në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri muajin e kaluar. Theksoi se “ofrohet anëtarësim, asgjë tjetër”.
Komentet e Varhejit vijnë pasi që presidenti francez, Emanuel Makron, i cili në tetor e bllokoi fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, javën e kaluar tha se ka vullnet për të dhënë dritë të gjelbër për dy vendet ballkanike të fillojnë negociata, nëse raportet e KE-së, që priten në ditët e para të marsit, janë pozitive për këto dy vende.
Kryeministri Oliver Spasovski dje në Bruksel patën takim me kryetarin e Parlamentit evropian, David Sasoli, i cili dha mbështetje të plotë për të gjitha hapat reformues që Qeveria, Kuvendi dhe qytetarët i sollën gjatë periudhës së kaluar.
“Sasoli dhe Spasovski u dakorduan se reformat e suksesshme dhe metodologjia e re janë hapa të rëndësishëm drejt fillimit të shpejtë të negociatave për anëtarësim. Ai qëllim është i përbashkët i të gjitha institucioneve evropiane dhe pjesës më të madhe të shteteve anëtare të BE-së”, u konstatua në takim.
Kryetari i KE-së theksoi edhe se Ballkani Perëndimor është rajon strategjik për BE-në dhe se ai gjatë vizitës n[ë vendin tonë është bindur se qytetarët besojnë fuqishëm në BE dhe në të ardhmen e përbashkët. Në atë drejtim, tha Sasoli, Parlamenti evropian do të japë kontributin e vet për mbështetje për Ballkanin Perëndimor në Samitin në Zagreb.
Euroambasadori në vend, Samuel Zhbogar dje në deklaratë me shkrim e përshëndeti miratimin e disa ligjeve reformuese, përfshirë edhe Ligjin për prokurorinë publike.
“Implementimi i tyre duhet ta përforcojë sundimin e së drejtës dhe do të mundësojë profesionalizim dhe efikasitet më të mirë të gjyqësisë për mirëqenien e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Euroambasadori, në deklaratën me shkrim, thekson se e përshëndet faktin që Kuvendi para se të shpërndahet për shkak të zgjedhjeve të caktuara më 12 prill, i solli edhe Ligjin për Këshillin për Prokurorë Publike dhe Ligjin për menaxhim me lëvizjen e lëndëve në gjykata.
Këto ligje, së bashku me Ligjin për persona pa status të rregulluar qytetar dhe Kodin zgjedhor, korrespondojnë me rekomandimet e Raportit të BE-së për vendin dhe e vërtetojnë angazhimin e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, thekson Zhbogar.
Brukseli e prezantoi metodologjinë e re në fillim të shkurtit, me të cilën u jepet rol më i madh 27 vendeve-anëtare ta kthejnë në fillim procesin e negociatave nëse shteti kandidat nuk përparon në reformat për anëtarësim në Union.
Në këtë mënyrë Komisioni dëshiron t’i përfshijë vendet anëtare në procesin e inkuadrimit përmes samiteve vjetore të liderëve të cilët do të kontrollojnë statusin e negociatave dhe do të angazhojnë ekspertë nga anëtaret në fusha të dhëna. Vendit-kandidat, ndërkaq, metodologjia e re duhet t’i mundësojë benefite më të mëdha në formë të investimeve.