Deputeti i BDI-së, Artan Grubi njoftoi sot se është arritur marrëveshje për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe ridefinimin e njësive zgjedhore dhe ligji pritet të hyjë në procedurë parlamentare në çdo moment. Grubi tha se është pranuar amendamenti i tyre dhe Komuna Mavrovë-Rëstushë dhe Komuna e Dibrës në tërësi kalojnë nga njësia e gjashtë në njësinë e pestë zgjedhore, me çka numri i votuesve në njësinë e gjashtë kthehet brenda kufijve të plus pesë përqind më shumë se mesatarja e gjashtë njësive. Deputeti i BDI-së njoftoi se propozim ndryshimi i Kodit Zgjedhor është nënshkruar edhe nga kordinatorët e partive të tjera.