Në ITShKShM u hap Departamenti i Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, me ç’rast drejtori i këtij instituti, Skender Hasani, tha se ky departament është i pari në botë që do të hulumtojë jetën, veprën, misionin dhe humanitetin e nobelistes nga Shkupi, Anjez Gonxhe Bojaxhiut.
“Departamenti për studimin, hulumtimin, edukimin e figurës Nënë Terezës ka pikësynim zbërthimin e kompleksitetit të kësaj figure, duke iu ofruar mbarë shoqërisë modelin e mirë të trajtimit të gjithë atyre që janë në anën e kauzës humane globale.”,- deklaroi drejtori i ITShKShM-së, Skender Hasani.
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se ky departament e vendos në binarë institucional këtë vlerë të çmuar që i ka tejkaluar kufijtë e botës.
“E vendojmë në binar institucional këtë vlerë të çmuar të trashëgimisë tonë kulturore, shpirtërore, vlerë e cila ka tejkaluar kufijtë e botës.”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arber Ademi.
Hapja e departamentit e lartëson edhe më shumë figurën e Nënë Terezës, thotë ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj.
“Për figurën e Nënës Terezë dhe shpirtin e Nënës Terezë vërtet e kemi gjetur në Shkup. Ju inkurajoj ta çmoni, ta zmadhoni, ta tregoni të vërtetën, rolin, misionin, dashurinë e saj për paqen dhe njerëzimin.”,- theksoi ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj.
Hapja e departamentit u mirëprit edhe nga Don Lush Gjergji, Anton Sereqi e Dijana Toska.
“Ne quhemi kombe të bashkuara, sepse Nëna Terezë është Kombet e Bashkuara, sepse ajo bashkoi njeriun dhe njerëzimin në vlera dhe virtyte pa kurrfarë dallimesh kombëtare, fetare, racore, gjinore dhe ja Kombet e Bashkuara në mënyrë konkrete.”,- u shpreh Don Lush Gjergji.
“Kjo është një punë e cila dua ta çmojmë aq shumë sa që duhet të kuptojmë se të gjitha gjërat duhet t’i bëjmë nëpërmjet institucioneve.”,- theksoi Anton Sereqi.
“Kemi pa shumë filma e libra të shkruara për Nënë Terezën, asnjëherë nuk kam hasur në fuqinë e një gruaje aq të vogël që të bëjë e gjithë bota t’i përkulet asaj. Ku e gjeti gjithë atë fuqi pikërisht në edukatën e familjes shqiptare.”,- tha Dijana Toska.
Të pranishmit theksuan se departamenti do jetë pikë referimi për botën shkencore, për studimin, hulumtimin dhe edukimin e figurës së Nënë Terezës. (Tvm2)