Me muzikë dhe të ulur para Kuvendit, një grup i qytetarëve kërkuan drejtësi ekologjike në Maqedoninë e Veriut.
Dhe derisa brohorisnin të ulur, prapa tyre u shfaqën deputetët opozitarë të VMRO-DPMNE-së. Ata jepnin mbështetje për protestën, por u ndeshën me kritika.
Protestuesi: “Drisllën” ju e dhatë. Turp të ju vjen. Ende keni fytyrë të dilni këtu.
Tv 21: si i komentoni kritikat e tyre?
Liljana Zaturoska: Si të komentoj një kritikë? Mund vetëm të demantoj.
Protestuesi: Turp të ju vjen. Pangopësia juaj aq shumë është verbuar, sa fëmijëve tuaj u bëni dëm dhe lëre më ne.
Liljana Zaturoska: nuk keni të drejtë. Ne si Komision e kemi votuar ligjin
Protestuesi: Dhjetë vjet ku jeni? Dhjetë vjet na ndoti.
Zaturoska iku, por qytetari i kërkoi të dal në mejdan, sepse siç tha ai përkrahjen ndaj protestës po e bën për pikë politike.
“Ja erdhët sa për të bërë pikë politike. Pse dilni në rrugë, vendi juaj është në Kuvend”, deklaroi protestuesi.
Pastaj kjo u shoqërua me brohoritje të tjera dhe me duartrokitje.
Në protestë kishin dalë edhe fëmijë. Ata po thonë se nuk kanë ku të shëtisin, sepse ajri është i ndotur.
“Duam ajër të pastër që të mund më shumë të shëtisim”, brohorisnin protestuesit.
Të paktë ishin që mbanin maska, por njëri nga ata porositi të mbahen çdo ditë edhe përskaj rezultateve të stacioneve matëse të cilat thonë se ajri këto ditë është i pastër.
“Dy tre maska do të bashkoni, do të vendosni faculeta dhe ajo është mbrojtje”, theksoi një protestues.
“E kemi të rëndësishme të ndërrohet ligji dhe mos të importohet fare mbeturina”, potencoi një protestues. Por, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini në konferencë e cila u mbajt paraprakisht, premtoi se do të miratohet Ligji për mbeturina, por nuk tha se do të ndalohet importi i të gjitha mbeturinave. Sipas tij ajo që importohet deri tash është në suaza të së lejuarës dhe nuk bëhet fjalë për mbeturina të rrezikshme.
“Ligji është në kuvend. E përshëndesim idenë. Dua të theksojë se ky institucion ka 2 vjet që punon në atë ligj, besoj se do të votohet sepse është në përputhje me direktivat e BE-së. Sigurisht do të donim që të ulemi dhe të flasim me njohësit e kësaj problematike”, theksoi ministri Nuredini.
Nga ana tjetër, Drejtori i Doganave Goqo Atanasovski deklaroi se në bashkëpunim me Ministrinë janë duke kontrolluar importin e mbeturinave. Këtë e bënë ditë më parë edhe me inspektime të jashtëzakonshme në Bogorodicë. Analizat nga këto inspektime po bëhen në laborator në Estoni.
“Janë marrë mostra janë dërguar në laboratorin e Estonisë ku presim rezultatet për 7 deri 10 ditë. Gjithashtu do të kumtohen rezultatet pasi të bëhen analizat. Me Ministrinë jemi marrë vesh që të revidohen disa pjesë të cilat duhet të ndryshohen në rregulloren për import, eksport dhe transit të mbeturinave. Sigurisht këto marrëveshje do të mbarojnë në kohë”, deklaroi Atanasovski.
Inspektimet dhe protesta u ashpërsuan pasi u publikua informacioni se ish drejtori i Drisllës, Goran Angellovski është i përfshirë në importin e mbeturinave nga Italia në Bullgari, në publik u krijua ideja se mbeturinat janë deponuar në Drislla, por kjo u hodh poshtë nga autoritetet, ndërkaq tash dyshohet se ajri po ndotet nga çimentorja USJE e cila importon mbeturina për lëndë djegëse. Inspektori ekologjik Hisni Thaçi tha se USJE vepron sipas lejes dhe sipas kufirit të emitimit të gazrave të cilat ato i masin dhe duhet t’i respektojnë.
Por, protestuesit janë të vendosur, do të protestojnë edhe para USJES dhe të ndalohet importi i të gjitha mbeturinave, pavarësisht se për çfarë qëllimi përdoret ai.
“Para çimentores USJE iu ftojmë që të protestoni”.
TV21