Edhe përkundër premtimeve të shumta për ndriçimin e Kalasë së Tetovës dhe vendosjen e rojeve për ta mbrojtur nga shkatërrimi i personave të pandërgjegjshëm, nuk është ndërmarrë asgjë konkrete. Vizitorët ankohen për mungesë sigurie gjatë natës.
“Duhet patjetër të ndriçohet. Ne ecim ditën kryesisht por do ishte mirë që të ketë ndriçim sepse gjatë verës është mirë edhe në mbrëmje ecja në ajër të pastër. Kjo do ndihmonte edhe në pastërti, sepse ishit lartë e patë në çdo qoshe ka mbeturina qese plastike”.
“Kalaja është vërtetë katastrofë, Shteti duhet ta shoh këtë gjithsesi, nëse duam të kemi shtet ekologjik me një vetëdije të lartë ekologjike, duhet pastërtia”.
Arkivi i Tetovës këmbëngul se ka premtime nga Ministria e Kulturës që do ndajë fonde për ndriçimin dhe sigurimin e Kalasë së Tetovës.
Pritet, është biseduar me ta po ashtu iu kemi apeluar se monumenteve të Tetovës iu duhet mirëmbajtje dhe kemi përgjigje pozitive se shpejt do të fillojnë të sanohen objektet”- thonë nga Arkivi i Qytetit të Tetovës”-thonë nga Arkivi i Tetovës.
Premtime të njëjta janë bërë edhe nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, megjithatë në buxhetit e vitit 2020 nuk është paraparë asnjë denarë për Kalanë e Tetovës. Profesori Abdulla Memeti, i cili më së shpeshti ka shkruar për rëndësinë e Kalasë së Tetovës, akuzon pushtetin se, pasdore janë lënë jo vetëm Kalaja e qytetit, por edhe teqeja Arabati Baba.
Besoj që këtë, pushteti nuk e bën pa qëllim. Siç e dëshmon e kaluara e këtij pushteti për 30 vite me radhë nuk është se e kanë shkatërruar vetëm Kalanë e Tetovës, por është lënë pas dore dhe është gati para shkatërrimit total edhe Teqeja Arabati Baba në Tetovë siç keni mundur edhe të shihni. Për Kalanë e Tetovës, një faj të madh ka edhe pushteti aktual, sepse me vetë faktin që krismat e para në vitin 2001 filluan nga kjo Kala, kujdesin më të madh u desh t`ia kushtoj ky pushtet i dalë pas këtij konflikti”-tha Abdulla Memeti. Prof universitar.
Kohëve të fundit, në masë të madhe po shkatërrohet muret e Kalasë së Tetovës, ku, persona të pandërgjegjshëm, gërmojnë të njëjtët duke kërkuar ar dhe gjësende të tjera me vlerë.
Bashkim Sulejmani/Alsat