Të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët kanë mbajtur aksion dhe konferencë për media para objektit të Qeverisë së vendit, prej ku kanë akuzuar se 150 të rinj të shkolluar kanë lëshuar vendin si pasojë e dëshpërimit të politikave të qeverive vendore.
“Është fjala për gjenocidin modern të quajtur “brain drain” që kjo qeveri dhe shumë qeveri para saj ua kanë kryer dhe po vazhdojnë tua kryejnë të rinjve në këtë shtet, duke i përzënë nga vendlindjet e tyre njerëzit të cilët me shumë mund u shkolluan dhe ëndëruan për të qëndruar në shtëpitë e tyre. Ne sot, këtu para qeverisë po ekspozojmë diplomat dhe fotografitë e vëllezërve dhe motrave tona të cilët edhe përkundër shkollimit dhe sakrificës që bën për tu kualifikuar, u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre dhe u larguan për një jetë më të mirë në vendet e Europës Perendimore. Këta janë mjekët që kur sëmuremi nuk i gjejmë më nëpër spitale në sistemin tonë shëndetësorë të rrënuar, mësuesit që mungojnë nëpër shkollat e sistemit tonë arsimorë të gjunjëzuar dhe ndërmarrësit që nuk krijojnë vende pune në shtetin tonë- të tretin me papunësi të të rinjve në botë. Këto janë, me një fjalë, fatkeqësia jonë. Ky dëm që po na bëhet ka çmim jashtëzakonisht të madh”, deklaroi Liridona Emini, sekretare e FRASH.