2019-ta do të mbahet mend si viti i pritjes dhe njëkohësisht zhgënjimit më të madh në historinë e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja e Prespës, me të cilën shteti ndërroi emrin e saj kushtetues, siguroi se nuk do të përsëritej më vetoja greke e 2008-tës, por nuk qe bileta për trenin e fundit drejt BE-së, ashtu siç pretendohej nga Shkupi e Brukseli. Përskaj sinjaleve të shumta pozitive, premtimeve dhe rekomandimit pozitiv të majit të Komisionit Evropian, Këshilli Evropian në tetor nuk dha dritën jeshile për fillim të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, në një paketë me Shqipërinë. Këtë herë për shkak të vetos së Presidentit francez, Emanuel Makron i cili nuk kontestonte progresin e arritur në Shkup, por kërkonte reformim të metodologjisë së zgjerimit të BE-së. Krerët e rinj të tre institucioneve më të rëndësishme të BE-së u zotuan se do ta kthejnë kredibilitetin e BE-së, respektivisht se do ta ndreqin gabimin skajshmërish të turpshëm të “ndëshkimit” të Shkupit, për herë të parë jo për faj të saj, por për shkak të mos-marrëveshjeve brenda BE-së. Rrjedhimisht, edhe përskaj skepticizmit të madh, po e mbyllim këtë vit me pritjen për “një tren tjetër”, nëse do të ketë një të tillë, që të na shpie drejt BE-së, së largët.
2019-ta gjithsesi ishte viti më i frytshëm sa i përket anëtarësimit në NATO, kur de facto Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e aleancës ushtarako-politike më të fuqishme në botë.
“Sot është një ditë e veçantë. Sot nënshkruam Protokollin për anëtarësimin tuaj në Aleancë. Sot është një ditë historike për vendin tuaj dhe një ditë krenarie për të gjithë ne.”
Që Protokolli i anëtarësimit të bëhet i vlefshëm dhe vendi të bëhet edhe de jure anëtare e plotëfuqishme, mbetet që Protokolli të ratifikohet në Parlamentin spanjoll, ashtu siç u ratifikua në institucionet legjislative të 28 shteteve të tjera anëtare. Megjithatë rrethanat në Spanjë me zgjedhje në prill e në nëntor si dhe vonesat në formimin e koalicionit qeveritar, pamundësuan që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të rrumbullakësohet brenda vitit që po lëmë pas. Gjithsesi mbetet i rëndësishëm fakti se kryeministri, Zoran Zaev për herë të parë mori pjesë në Takimin e liderëve të NATO-s, që u mbajtë në Londër më 13 dhe 14 nëntor. Takim ky, ku liderët e shteteve të ndryshme ndonëse nuk arritën konsenzus për shumë çështje të tjera, ishin unik për anëtarësimin e vendit tonë.
Anesa Salihu/Alsat