“Të nderuar vëllezër dhe motra, Çasti i ndërrimit të moteve po afron.
Vitin që po e lëmë pas, Lëvizja BESA e kaloi me shumë sfida, duke luajtur rol të rëndësishëm në skenën politike.
Ky vit ishte plotë me sfida dhe ndryshime, në zgjedhjet presidenciale Lëvizja BESA përkrahu kandidatin e vetëm shqiptar prof. Blerim Rekën, me ç’rast OPOZITA e bashkuar në bllokun shqiptarë doli fituese absolute në raport me POZITËN e bashkuar.
Duke e vazhduar njëmendësinë e anashkalimit të shqiptarëve, takimet e liderëve maqedonas, pa liderët shqiptarët përcollën mesazhin nënçmues ndaj shqiptarëve. Në të ardhmen Lëvizja Besa nuk do të lejoj nënçmime të këtilla, koha e argatëve ka kaluar, po vjen kohë e re për shqiptarët.
Qeveria LSDM-BDI vazhdoi amnestimin e kriminelëve, heshtjen e aferave korruptive dhe politizimin e skajshëm të gjyqësorit.
Lëvizjes Besa është për VETING i cili do të garantohet nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.
As LSDM, as VMRO dhe emëruesi i përbashkët i tyreBDI nuk mund të garantojnë sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, gjë e cila u dëshmua me shkatërrimin e Prokurorisë Speciale.
Të nderuar qytetarë!
Ndryshimet kushtetuese ishin një moment i rëndësihëm, falë vendosmërisë së Lëvizjes BESA u garantua shtetësia për shqiptarët, në letërnjoftime do shtohet grafa etnike – SHQIPTAR, diaspora shqiptare nga Maqedonia e Veriut u bë pjesë e Kushtetutës, të drejtat e shqiptarëve nuk u mbyllën me kaq.
Kështu Lëvizja Besa vulosi ardhmërinë e Maqedonisë Veriore për në NATO.
Edhe ky pushtet vazhdoi të funksionojë si regjimi i kaluar VMRO-BDI, ku në vend të sundimit të ligjit, vazhdoi krimi dhe korrupcioni, lulëzoi nepotizmi, u liruan kriminelët dhe ata që e çuan shtetin buzë greminës dhe shkatërrimit ekonomik.
Dështimi ekonomik vazhdon të mbetet plagë e hapur për rajonet shqiptare. Ekonomia e vendit është e izoluar vetëm brenda një grupi oligarhësh të cilët mbajnë peng ardhmërinë tonë.
Rishqyrtimin e politikave ekonomike, hapja e vendeve të punës në rajonet shqiptare, do t’u mundësonte të rinjëve të realizojnë ëndrrat e tyre në vendlindje.
Uroj që viti 2020 të jetë viti, ku krimi do të zëvendësohet me drejtësi, antivlera me vlerë, analfabetizmi me intelektualizëm.
Në emër të gjithë anëtarëve të Lëvizjes BESA, Ju uroj një vit të mbarë, me plot shëndet, paqe dhe begati.
Gëzuar Vitin e Ri 2020!” – është shprehur Bilall Kasami.