Ali Ahmeti u rizgjodh në mënyrë unanime kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim edhe për katër vitet e ardhshme. Të gjithë delegatët e kongresit të katërt votuan pro. Ahmeti pas rizgjedhjes përgëzoi ekipet që punuan në përgatitjen e këtij kongresi si dhe në mbarëvajtjen e punimeve brenda partisë për zgjedhjen e këshillave vendorë.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Do të vazhdoj t’ju përfaqësoj me dinjitet, sepse nuk kam bërë më shumë se një përfaqësim të dinjitetit, të përfaqësimit të forcës dhe gëzimit tuaj. Unë kam qenë vetëm një përfaqësues i këtyre vlerave të cilat ju i keni trashëguar edhe nga brezat e mëparshme. Ky kongres dhe ky përfaqësim është përfaqësim i fisnikërisë, i thesarit kombëtar shqiptar në hapësirat e veta këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Ai shtoi se pas vitit 2001 shqiptarët u bënë të zot në shpi të vet sepse, siç tha, shqiptarët këtu i deshën qiraxhinj por jo edhe zot shtëpie.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Vëllezër e motra sa shumë sakrifikuan e derdhën gjak për flamur sot ai është i lirë. Shqiptarët u vranë e u sakatuan për gjuhë, sot kemi tre universitete dy shtetërore dhe një privato-publik, sot shqiptarët kanë polici, ushtri, të përfaqësuar me dinjitet nga bijtë e bijat tanë… Sigurisht se është dashur punë dhe angazhim, përpjekje e vazhdueshme pasi kemi pasur edhe skeptikë të cilët mendonin se këto të arritura që bazën e kishin te Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk do të arrihen kurrë, por ja që po e dëshmojmë të kundërtën. Asnjëherë nuk kemi punuar me standarde të dyfishta, kemi qenë transparent dhe dalë-zotës”.
Ahmeti tha se më 12 prill do ta kenë edhe sprovën e parë, ku BDI do ta vulosë edhe fitoren e radhës. Kongresi i IV i partisë filloi me prezentimin e rezolutave siç janë Integrimi konsensual, vetingu, punësimi dhe zhvillimi, jetesa cilësore, rinia në vend, të cilat u miratuan njëzëri nga delegatët e Kongresit. Gjithashtu gjatë Kongresit, Valdet Xhaferi prezentoi propozim ndryshimin e statutit të BDI-së, si dhe e prezentoi edhe organin e ri i cili është Kongresi i vazhdimësisë i cili përbëhet nga 1/3 e delegatëve. BDI-ja në muajt e fundit ka zgjedhur organe të reja drejtuese në nivel degësh dhe të forumeve të tjera. Ahmeti është në krye të Bashkimit Demokratik për Integrim që nga themelimi i partisë në vitin 2002. Kongresi zhvillohet në një kohë të ftohjes së raporteve të BDI-së me partnerin kryesor në koalicionin qeveritar, Lidhjen Social Demokrate për shkak të Kodit Zgjedhor. Partia maqedonase synon që vendi të jetë një njësi e vetme zgjedhore, nga gjashtë sa janë aktualisht, por ligjvënësit e BDI-së kanë paraqitur mijëra propozim-amendamente sa për ta bllokuar procesin parlamentar lidhur me çështjen.