Presidenti Stevo Pendarovski sot mirëpriti kryetarët dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare të njohura në Kushtetutë, para të cilëve ai i potencoi bashkëjetesën dhe respektimin e dallimeve si një nga vlerat themelore të shtetit.
“Para kryetarëve dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare presidenti e theksoi përkushtimin e tij për të bashkëpunuar me të gjitha bashkësitë fetare në Maqedoninë e Veriut, në interes të mirëkuptimit dhe tolerancës së ndërsjellë. Presidenti Pendarovski shprehu rëndësinë e rolit të kryetarëve të bashkësive fetare në kultivimin e bashkëjetesës, si një parakusht i rëndësishëm për prosperitetin dhe progresin e shtetit”, kumtuan nga kabineti i presidentit.
Kryetarët dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare e kanë përshëndetur nismën për takimin e sotëm dhe kanë theksuar se përskaj dallimeve fetare, qëllimi i përbashkët i të gjithëve është ndërtimi i paqes dhe respektit.
Në takim morën pjesë kryetarët e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, z.z. Stefan, prej Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema Haxhi Sulejman efendi Rexhepi, prej Kishës Katolike, Kiro Stojanov, kryetari i Përfaqësisë së Kishës Evangjelike – Metodiste, Emil Zaev, kryetarja e Bashkësisë Hebraike Berta Romano Nikoliq, si dhe drejtori i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze Darian Sotirovski.