Përkundër akuzave në opinion, partnerët e koalicionit LSDM-BDI mohojnë të ketë përçarje mes tyre, duke garantuar se koalicioni funksionon mbi bazën e parimeve dhe marrëveshjes për bashkëqeverisje. LSDM-ja ndonëse kishte paralajmëruar shqyrtimin e koalicionit më BDI-në, posaçërisht pas propozimit të 5000 amendamenteve ndaj ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, deri tani nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete. Sipas Socialdemokratëve, koalicioni vihet në pyetje vetëm në rast të situatave të patejkalueshme.
Deri tani bashkëpunimi mes partnerëve qeverisës është e i pastër dhe i sinqertë. Komunikojmë mes vete dhe angazhohemi për t’i tejkaluar problemet e përditshme. Gjithmonë ekzistojnë mendime personale dhe në këtë situatë kemi të bëjmë me mendime të tilla. Shqyrtimi i bashkëpunimeve vjen nga situatat momentale dhe deri sa kemi çështje të pa tejkaluara, sigurisht që organet e partisë do të veprojnë si duhet – tha Hari Llokvenec, deputet i LSDM-së.
BDI e cila u kritikua për veprimet e saj në Kuvend, thotë se brenda koalicionit gjithçka funksionin në korniza të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Partia e Ahmetit nuk druan nga paralajmërimet jo zyrtare se në kuadër të Qeverisë teknike, mund të prishet edhe koalicioni me LSDM-në.
Koalicioni funksionin mbi parimet e dakorduara me marrëveshjen për bashkëqeverisje dhe gjitha dallimet ditore diskutohen dhe tejkalohen. Qeveria e Përzhinës është Qeveri për organizimin e zgjedhjeve dhe nuk ka mandat politik andaj është Qeveri teknike gjithëpërfshirëse e jo mono-etnike – thonë nga BDI.
Pas propozimit të mijëra amendamenteve për Kodin Zgjedhor, dështimit për të emëruar anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe kreun e revizorit, përçarja mes LSDM-së dhe BDI-së ka vazhduar edhe si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për hapjen e kufirit Llojan-Miratoc. Zv. kryeministri Bujar Osmani dhe nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri kanë drejtuar akuza të ndërsjella për zvarritjen disa vjeçare për hapjen e këtij vendkalimi kufitar. Osmani dhe Zekiri në rrjetet sociale shkëmbyen edhe akuza personale.