Nga 11 mijë deri në 153 mijë euro kanë marrë deputetët për shpenzime rrugore për udhëtime jashtë vendit, në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2019. Këtë e dëshmojnë të dhënat e bazës ‘Financa të hapura’.
Rekorderët të listës që kanë marrë më së shumti gjatë këtyre nëntë viteve janë kryesisht deputetët e VMRO-së.
Dragan Cuklev, deputeti i VMRO-së nga Gjevgjelia dhe kolegia e tij Liljana Zaturovska nga Manastiri janë në krye të listës me 153.000 euro të marra.
E treta në listë është ish-deputetja Silvana Boneva e cila ka marrë 128 mijë euro. Për këtë, PSP hapi hetim kurse Boneva dyshohet për mashtrim në shërbim, për shkak se nga viti 2011 deri në vitin 2015, ajo në Kuvend ka dorëzuar llogari të rreme fiskale.
Aleksanr Nikolloski, poashtu nga partia maqedonase opozitare, gjatë mandatit të tij si deputet ka marrë 127 mijë euro për shpenzime rrugore.
Rreth 120 mijë euro ka marrë Liljana Kuzmanovska nga Manastiri ndërsa 3.000 euro më pak ka marrë bashkëpartiaku i saj nga VMRO-DPMNE, Dimitar Stevanxhija.
Ana Lashkoska dhe Mende Dinevski kanë marrë 104 mijë euro për shpenzime rrugore.