Shkruan: Petrit Saraçini
Ç’është CIVIL? Bëhet fjalë për një grup njerëzish, të ndryshëm në shumë mënyra. Kanë dallime ideologjike (jo në kuptimin e realitetit tonë të çoroditur), janë pjestarë të popujve, feve, gjinive, orientimit seksual, moshave të ndryshme…Dallime? Vetëm thuani çfarë doni, i kemi të gjitha!
Por, për një gjë për të jeni të sigurt se jemi unikë, dhe këmbëngulim në të. Respektim maksimal dhe luftë pa kompromis për respektimin e të drejtave të njeriut, në interpretimin maksimal dhe gjithëpërfshirës të këtyre fjalëve!
Qoftë për paqen dhe ndërtimin e saj të përhershëm, marrëdhëniet e mira ndëretnike, zgjedhjet e ndershme dhe mbrojtjen e të drejtës së votës, luftën kundër armëve, për drejtësinë sociale,për mjedisin, për artin e angazhuar dhe vlerësimin e artistëve vendas të pavarur, …CIVIL ka vepruar gjithmonë pa doreza dhe fjalë të mëdha, por konkretisht.
Dhe, duke folur zëshëm, jo vetëm në emër të të “ndryshmëve” në çdo kuptim, të atyre me të drejta të shkelura, pa fuqi dhe zë, CIVIL është gjithmonë zëri i të gjithë qytetarëve liridashës, zëri i arsyes kundër çmendurisë, i paqes kundër dhunës, i argumenteve kundër gënjeshtrave. Pavarësisht se kush është në pushtet, ose nëse klima në publik është “e favorshme” apo jo.
Me CIVIL-in jam që nga fillimi, që nga viti 1999. Përvoja ime me këtë ekip të mrekullueshëm, përveç aktivizmit qytetar në kuptimin politik, gjithashtu përfshin një mori ngjarjesh dhe veprimesh të artit të angazhuar. Përfshin “gatimin” e përbashkët të Life Radio-s që arriti status kulti, pastaj festivalin Rock për Paqe në 2001, Peace Unlimited Festivalin që për një pjesë të dekadës para kësaj mbushte sallat e Panairit me grupe vendase rock (merreni me mend!), Karvanin e Lirisë me koncerte në sheshet e qyteteve anembanë Maqedonisë (përsëri me grupe dhe artistë vendas, imagjinoni!) dhe shumë ngjarje të tjera të njohura dhe të panjohura, koncerte, ekspozita, ngjarje multimediale, në salla, klube, rrugë, sheshe … kudo.
Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ky ekip ka vënë mbi supe, larg çekmexheve të donatorëve të mëdhenj dhe projekteve të pasura, dhe pa asnjë qindarkë të vetme të marrë nga shteti, duke dhënë gjithmonë prej vetes shumë më tepër sesa parashihej e kërkohej.
Nuk e di nëse dëgjuat, këtë vit, për 20 vjetorin, CIVIL Qendra për Liri do ta kremtojë pa solemnitete pompoze, ahengje dhe kokteje.
Në vend të kësaj, brenda 20 ditëve të ardhshme ju presin një seri ngjarjesh të rëndësishme, debate, performanca artistike dhe një festival multimedia, përsëri të mbështetur ekskluzivisht në forcat vendore intelektuale dhe artistike, përmes të cilave do të bëjmë një rikapitullim të luftës së deritanishme dhe do të ofrojmë mendimet dhe zgjidhjet tona për të ardhmen e përbashkët. Festim me punë, mu ashtu si i ka hije këtij kolektivi.
Për të gjithë CIVIL-et në Maqedoni, me gjithë zemër, urime jubileun, 20 vjet CIVIL! Ecim me krenari, trimëri, me ndershmëri, drejt, përpara! Deri në fitore!
#20YearsLoudAndProud