Universiteti i Evropës Juglindore i Tetovës ka shënuar sot 18 vjetorin e themelimit si universitet i vetëm në rajon për nga programi akademik dhe mënyra e organizimit të veprimtarisë dhe ndër të rrallët që ofron studime në tre gjuhë, gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Rektori i këtij universiteti, akademik Abdylmenaf Bexheti, tha se përkushtimi kryesor mbeten edhe më tej krijimi i kuadrove adekuate për tregun e punës dhe ndalja e fluksit të shpërnguljes së të rinjëve duke ofruar kushte për avancimin e tyre në vend. Bexheti tha se në këto synime nuk kanë munguar sukseset dhe UEJL shënon përparim si në aspekt të cilësisë ashtu edhe në numrin e stutendëve dhe kuadrove në tre ciklet studimore.
“Sivjet është viti i dytë akademik, që në studimet e ciklit të parë arrijmë rritje 10% të studentëve të regjistruar, bile mbi rritjen prej 7% të vitit të kaluar. Kumulativisht, për dy vite akademike, rezulton rritje rreth 20%, përkundër të gjitha trendëve rënëse, nga nataliteti e deri te emigracioni. Pas disa viteve, sërish numri i studentëve të regjistruar (jo vetëm që kanë aplikuar), në UEJL, shkon në numër katërshifror dhe në këtë rast dukshëm mbi 1000 studentë, në të tre ciklet studimore. Në gjeneratën e këtij viti akademik, mbi 1/3 e studentëve të ri, janë bursistë meritor, mbi gjysma e tyre me sukses të shkëlqyer 5.00, duke përfshirë këtu edhe notën e maturës shtetërore. Kjo padyshim paraqet parakusht për sukses në studime dhe cilësi në diplomim për punësim”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL.
Kryetari i Bordit të UEJL-së, Dennis Farrington falemenderoi të gjitha shtetet dhe fondacionet që 18 vite më parë mundësuan themelimin e këtij institucioni duke bërë Maqedoninë e Veriut vendin e vetëm që ka përfituar nga një projekt i këtillë i rëndësishëm për sistemin arsimor.
“Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajonin e Evropës që ka përfituar nga universiteti i themeluar nga kontributi i vendeve të BE-së, Kanada dhe SHBA-të. Mos të harojmë edhe ndihmën e Holandës vendit më të madh të BE-së, Norvegjia, Suedisë, Zvicrës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe të tjerëve. Ne jemi mirënjohës për ndihmën e dhënë nga gjithë këto shtete për të arritur këto suksese edhe atë jo vetëm përmes ndihmës financiare, por edhe në bashkëpunimin akademik. Unë ndjehem i nderuar që shoh Universitetin e Indianës në bashkëpunim me ne. Maqedonia e Veriut duhet të mburet që ka një institucion arsimor që është unik dhe nuk mund të gjendet një rast i tillë dikund tjetër”, u shpreh Dennis Farrington, kryetar i Bordit të UEJL.
Vitin që shkoi UEJL ka kryer të gjitha ristrukturimet akademike vertikale në programet studimore duke kaluar me shumë sukses nga programet 3 në ato 4 vjeçare, njoftoi mes tjerash rektori Abdylmenaf Bexheti.