Ishte data 3 Gusht – 2012 kur Komisioni për Verifikimin e Fakteve (RMV) publikoi emrin e Sefedin Harunit si ish bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete. Dosja e tij madje u publikua në uebfaqen e Komisionit për Verifikimin e Fakteve, shkruan Gostivari Sot Ishte kjo hera e dytë që Haruni u shpall ish spiun i shërbimeve sekrete. Fillimisht, 13 qershor 2011, po i njëjti komision e kishte shpallur bashkëpunëtor i shërbimeve. Ndaj këtij vendimi të datës 13 qershor 2011, Haruni ishte ankuar në Gjykatën Administrative, dhe e njëjta instancë gjyqësore pasaj sjell vendim me të cilin anulon vendimin e Komisionit për Verifikimin e Fakteve të 13 qershor 2011. Përskaj këtij vendimi të plotfuqishëm, komisioni ripërsërit lëndën dhe me datë 3 Gusht – 2012 Sefedin Harunim ish bartës i funksionit publik – deputet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë e shpalli sërish bashkëpunëtor i shtetit. Në prononcimin ekskluziv për Portalin Informativ “Gostivari Sot”, ish deputeti Haruni thotë që tentativa nga ana e pushtetit erdhi për të njollosur atë dhe për ta detyriar që të hiqte dorë nga veprimtaria aktive në politikë. “Ishte periudhë parazgjedhore dhe partitë bënin gati propozimet për deputetë që duhej të kalonin në filtrin e Komisionin për Verifim të Fakteve. Komisioni solli një vendim të ndikuar politik ku më pamundësoi që të jem kandidat i Partitë për Prosperitet Demokratik, duke më shpallur si ish spiun i shtetit. Ky vendimi më erdh si shok edhe pse isha i sigurt që bëhej fjalë për fabrikim, dhe se unë kurrë skam qenë bashkëpunëtor i shërbimeve. Vendosa të kërkoj drejtësinë në të gjitha instancat gjyqësore”, shprehet Haruni, i cili shton që edhe pse Gjyqi Administrativ kishte vendim të prerë, Komisioni nuk ishte bindur këtij vendimi. Rikthimi i çështjes erdhi pas ndryshimeve ligjore dhe miratimin e ligjit të ri për lustrim që u miratua nga ana e pushtetit pa konsensus mes partive politike, dhe që ngriti dilema mbi besueshmërinë e gjithë këtij procesi të përcjellë me debate të shumta. Madje, një nga anëtarët e komisionit, Çedomir Damjanovski shprehu bindje që ligji është antikushtetues, jofunskional dhe i hartuar për hakmarrje politike. “Me ndryshimet ligjore që ishin me qëllime politike përsëri më vunë në bankën e të akuzuarit, kinse kam qenë bashkëpunëtor i shërbimit shtetëror. Atëherë, nuk pata rast të prononcohem. Nuk u thirra të dëshmoi. Komisioni vetëm e solli vendimin. Ata që e fabrikuan aktin kishin për qëllim që unë të largohem nga skena politike”, shprehet Haruni. Duke e parë që nuk zbatohen vendimet e gjyqësorit, kësaj radhe Haruni vendosi të kërkon drejtësinë në Gjykatën e Strasburgut. Kjo e fundit, së fundmi solli vendim me të cilin Sefedin Haruni rezulton që nuk është spiun i ish shërbimeve sekrete, madje detyron shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të ndajë dëmshpërblim ndaj tij në lartësi prej 5850 euro. “Nuk kisha më tjetër rrugëdalje. Desha së paku të heq qafe këtë njollë që ma vendosën. Vendosa të ankohem në Gjykatën për të Drejtat e njeriut në Strasburg. Gjykata solli vendim me të cilin dal i pastër. Qeveria obligohet të më paguan një dëmshpërblim simbolik për të mbuluar shpenzimet e gjyqit”, thotë Haruni, i cili thotë se u deshtën të kalojnë plotë shtatë vite që e vërteta të del në sipërfaqe. “U desht të pres plotë shtatë vite. E brenda këtyre shtatë viteve të thuash se kam qenë shumë i shqetësuar nuk do të thoja, sepse, e dija veten të pastër. Nuk i kam njohur as personat që ishin përmend në dosje. Por nuk them se e kam pasur edhe të lehtë. Edhe pse i sigurt që vendimi i drejtë do të vijë një ditë, u desht të pres shtatë vite”, shprehet Haruni. Për fund, Haruni apelon deri tek institucionet që vendimet mos t’i sjellin të motivuara politikisht dhe me qëllim hakmarrjeje.“Bëj apel që drejtësia të jetë në fokus dhe mbështetje të njerëzve të pafajshëm. Kërkoj që jo në mënyrë paushalle dhe me motive politike të bëhet largimi i njerëzve nga skena politike. Unë nuk kam qenë kundërshtari i tyre politik, por kam artikuluar interesin e shqiptarëve të Maqedonisë”, thotë Haruni. Vendimi i Gykatës së Strazburgut në favor të Harunit, sjell nën hijen e dyshimit funksionimin e Komisionit për Verifikim të Fakteve – KVF, si dhe vendimet e marra nga ky institucion në periudhën për të cilën bëhet fjalë. Gostivari Sot