Shpresoj të rishqyrtohet vendimi për hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën. Kështu është shprehur komesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, mëngjesin e sotëm kur për herë të fundit ka mbajtur fjalim para Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian në cilësi të funksionin të tanishëm që e ka.
Ai sërish shprehu keqardhje që vendet e BE-së nuk arritën konsensus për të nisur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke shtuar se kjo i ka shkaktuar dëm të madh besueshmërisë së BE-së.
“Besueshmëria ka pësuar dëm të madh. BE në botë flet për sukseset e multilateralizmit dhe ne jemi fuqi udhëheqëse në këtë, por këtu nuk arritëm sukses të sjellim vendim. Besueshmëria jonë është dëmtuar”, tha Hahn para eurodeputetëve.
Hahn shtoi se kushtet që u janë vendosur dy vendeve në qershor të vitit 2018 ishin konsensus i shteteve anëtare të BE-së, e jo të Komisionit Evropian dhe se asgjë nuk u është imponuar shteteve anëtare.