Në kuadër të projektit “Ballë për ballë me presidentin”, presidenti Stevo Pendarovski sot pati dhjetëra takime me qytetarët në Tetovë. Qëllimi i takimeve është që të dëgjohen problemet e qytetarëve por edhe të afirmohen personat të cilët janë shembull në shoqëri.
“Që nga dita e parë e mandatit e zbatojmë këtë projekt. Vlerësoj se qytetarët me problemet dhe dilemat e tyre nuk duhet të vijnë tek unë në kabinet, më së miri është unë të shkoj tek ata dhe t’i dëgjoj. Kështu do të veproj gjatë muajve të ardhshëm. Do t’i potencojmë edhe shembujt pozitiv. Sot në Tetovë takova inovatorë të rinj të cilët meritojnë mbështetje nga shteti dhe nga shoqëria dhe sistemi. Janë shembuj pozitiv të cilët e tejkalojnë në shumë çështje shoqërinë tonë, për fat të keq nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga shteti dhe dëshiroj ta zgjoj ndërgjegjen e opinionit”, theksoi Pendarovski.
Presidenti e vizitoi Tearcën, Manastirin e Leshokut, etno muzeun më të vogël në Xhepçisht, Xhaminë e larme në Tetovë, KF Luboten, ndërsa realizoi takim me gazetarë dhe organizatat qytetare.
Pas vizitës së tij në shkollën fillore të Tearcës “Kiril Pejçinoviq”, Pendarovski ishte në shtëpinë e aktivistes Rita Behadini, për t’i dhënë përkrahje për iniciativën të cilën ajo e realizoi gjatë muajit gusht “Shtatori këtë mot, me çantën plot.
Nga aksioni humanitar, i organizuar nga Rita para fillimit të vitit shkollor, u pajisën me çanta 145 fëmijë në nevojë. Pendarovski shprehu mbështetjen e tij për aktivitete të tilla dhe tha se është i gatshëm të marrë pjesë në aksionet e ardhshme.
“Në fshatin Sllatinë, Presidenti Pendarovski vizitoi edhe Rita Behadinin, e cila përmes rrjeteve sociale inicioi dhe realizoi aksion për të mbledhur materiale shkollore dhe pajisje shtesë për nxënës nga familje me status të ulët social. Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për aktivitetet e Behadinit, duke përmendur që të rinjtë e tjerë duhet të ndjekin këtë shembull”, thuhet në kumtesën e Presidencës.
Rita nga ana tjetër, thotë se përkrahja e tillë e motivon edhe më tepër që të vazhdojë të kontribuojë për shoqërinë. Ajo thotë se aktivitete të tilla, përveç ndihmës që ju bëhet familjeve, të japin edhe kënaqësi shpirtërore dhe motiv që të vazhdosh me organizime të tilla.
Pendarovski ka vizituar edhe Manastirin në fshatin Leshkë. Në fshatin Xhepçisht, Presidenti Pendarovski ka vizituar edhe Muzeun Etno në pronësi të Simeon Zlatev – Monet, i konsideruar si muzeu më i vogël etnologjik në botë. Muzeu, në një hapësirë prej 7.2 metrash katrorë, ka ekspozuar rreth 1150 eksponate, nga gjithsej 2000 eksponate që Zlatev ka mbledhur gjatë tre dekadave të fundit. Pronari i muzeut informoi Presidentin Pendarovski për qëllimin e tij për të përfshirë zyrtarisht muzeun e tij në Librin e Rekordeve Guinness si muzeun më të vogël etnologjik në botë.